Prishtinë, 20 gusht 2026
Federata Esports Kosova (FESK), në kuadër të aktiviteteve për edukimin dhe ndërgjegjësimin e sportistëve dhe komunitetit esports, ka organizuar një seminar informues për antidopingun, i cili u mbajt në ambientet e Qendrës së Trajnimit – FESK HUB.
Ligjërues në këtë seminar ishte Prof. Dr. Bernard Tahirbegolli, Koordinator i KosADA-së, i cili para përfaqësuesve të FESK-së, përfaqësuesve të klubeve, trajnerëve dhe sportistëve prezantoi rëndësinë e respektimit të rregullave antidoping dhe promovimit të sportit të pastër.
Gjatë seminarit u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me dopinguin dhe rregullat antidoping, përfshirë praninë e substancave të ndaluara në mostrën e sportistit, përdorimin ose tentimin për përdorimin e substancave apo metodave të ndaluara, refuzimin e kontrollit antidoping, detyrimet për deklarimin e vendndodhjes, si dhe manipulimin e procesit të kontrollit.
Prof. Dr. Tahirbegolli gjithashtu shpjegoi Listën e Substancave dhe Metodave të Ndaluara, mënyrën dhe rrethanat në të cilat sportistët mund t’i nënshtrohen kontrollit antidoping, si dhe përgjegjësitë që kanë sportistët dhe personeli sportiv.
Një pjesë e veçantë e seminarit iu kushtua edhe pasojave të shkeljes së rregullave antidoping, duke theksuar rëndësinë e informimit dhe kujdesit të sportistëve në mënyrë që të shmangen shkeljet, përfshirë edhe ato të paqëllimshme.
Pjesëmarrësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të marrin sqarime të drejtpërdrejta nga ligjëruesi lidhur me rregullat dhe procedurat antidoping.
Federata Esports Kosova mbetet e përkushtuar në promovimin e integritetit, transparencës dhe sportit të pastër, si dhe në edukimin e vazhdueshëm të sportistëve, trajnerëve dhe klubeve për standardet dhe përgjegjësitë që burojnë nga rregullat sportive.
FESK falënderon KosADA-n dhe Prof. Dr. Bernard Tahirbegollin për kontributin dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij aktiviteti.