XP Game Fest

29 maj, Prishtinë

Federata Esports Kosova, në bashkëpunim me klubin Xportal Esports, organizoi edhe këtë vit Festivalin Ndërkombëtar të Lojërave Elektronike XPGF (XP Game Fest), një nga ngjarjet më të mëdha të esports në rajon, me qëllim promovimin dhe masivizimin e sportit elektronik, zhvillimin e talenteve të reja, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar përmes garave sportive.

Festivali u zhvillua në disiplinat: Counter-Strike 2 (CS2), Counter-Strike 2 – 1v1, EA Sports FC 26 dhe Rocket League.

Në total, në festival morën pjesë mbi 300 sportistë elektronikë, duke e bërë këtë aktivitet një nga ngjarjet më të mëdha të esports të organizuara në Kosovë.

Gara në disiplinën Counter-Strike 2 filloi me fazën e parakualifikimeve online, ku morën pjesë 120 ekipe nga vende të ndryshme. Pas përfundimit të kësaj faze, tetë ekipet më të mira siguruan pjesëmarrjen në Finalet e Mëdha, të cilat u zhvilluan fizikisht në Kosovë.

Finalistet përfaqësuan shtetet: Danimarkën, Anglinë, Finlandën, Republikën Çeke, Ukrainën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Gjithashtu, në kuadër të ekipeve pjesëmarrëse garuan edhe sportistë individualë nga: Libani, Gjeorgjia, Iraku dhe Palestina.

Ky nivel i pjesëmarrjes ndërkombëtare dëshmon se Kosova po shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm për organizimin e garave ndërkombëtare të esports dhe kontribuon në promovimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Në disiplinat e tjera morën pjesë rreth 250 garues, duke krijuar një konkurrencë të lartë sportive dhe duke përfshirë sportistë nga Kosova dhe vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.